Hoxhë Krasniqi në vaj, thotë se dikujt po i pengon islami

U intervistua dje nga prokuroria për dyshimet për nxitje të urrejtjes, por sot doli si çdo ditë për të kryer punën e tij, ku nuk hezitoi të flas as për këtë temë. Tha se dikujt po i pengon islami.

Lajme

05/09/2014 23:01

Imami i xhamisë së madhe, Shefqet Krasniqi, e udhëhoqi faljen e xhumasë në prani të shumë besimtarëve myslimanë dhe pati disa mesazhe për ta. Krasniqi tha se dikujt nuk po i pëlqen islami dhe se po mundohet ta luftojë atë, raporton KTV. 

Qindra besimtarë myslimanë kishin ardhur për të falur xhumanë në xhaminë e madhe në Prishtinë, të cilën si çdo herë e udhëhoqi imami Shefqet Krasniqi. 

Krasniqi foli për problemet, siç tha ai, me të cilat po përballet komuniteti mysliman. 

Në ligjëratën e gjatë para besimtarëve, ai tha se dikujt s’po i pëlqen rritja e numrit të besimtarëve dhe se po tenton t’i sulmojë ata. 

Krasniqi pak para se të përfundonte ligjëratën, filloi të emocionohet dhe pastaj ia plasi vajit.

 Të enjten, Policia e Kosovës kreu një aksion policor, ku Shefqet Krasniqi u shoqërua në polici dhe pas intervistimit, u lirua sërish. 

Policia, përmes një njoftimi zyrtar, ka treguar se Krasniqi është i dyshuar për veprën penale “nxitje e urrejtjes, përçarje ose mosdurim kombëtar, racor, fetar apo etnik”. 

Krahas kësaj, policia bastisi edhe disa lokacione të tjera, duke përfshirë konviktet e medreseve në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj dhe Pejë.