Hoxhaj tregon se kur do të mbahet mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë

Ende nuk është vendosur për datën e saktë se kur do të mbahet mbledhja e përbashkët në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë, e cila mbledhje pritet të ketë ndikim shumë të mirë në përmirësimin e bashkëpunimit fqinjësor, në nxitjen e bashkëpunimit bilateral dhe diskutimin në shumë fusha që janë me rëndësi për të dyja vendet, për qytetarët dhe për ekonominë e dy vendeve.

Lajme

23/05/2018 20:14

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë për Gazeta Monitor, se tashmë ka përfunduar faza e faza e konsultimeve në mes të dy qeverive dhe tashmë dihen në detaje temat të cilat do të diskutohen, marrëveshjet që do të nënshkruhen dhe pritjet.

“Kohë kur mbahet ka mbetur që të përcaktohet dhe kjo varet më shumë nga pala maqedonase sesa nga ne. Maqedonia është në një fazë intensive të negocimit të çështjes së emrin dhe varet nga ta koha e saktë, ne jemi të hapur për kohën.”, ka thënë zëvendëskryeministri Hoxhaj për Gazeta Monitor.

Në këtë takim të përbashkët, pritet që të diskutohen disa tema që janë në interes të të dy vendeve, me fokus të veçantë në bashkëpunimin ekonomik, infrastrukturën rrugore, procesin e integrimit dhe tema të tjera.

“Qëllimi i mbledhjes së përbashkët është që ta thellojmë bashkëpunimin në shumë fusha dhe t’i intensifikojmë marrëdhëniet në mes të dy vendeve tona.”, ka thënë Hoxhaj.