Hoxhaj: Të veprohet shpejt me MSA-në dhe vizat

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, ka pritur sot në një takim ambasadoren e Mbretërisë së Belgjikës, Anick Van Calster. Gjatë këtij takimi, Hoxhaj ka kërkuar përshpejtimin e nënshkrimit të MSA-së në mes të Kosovës dhe BE-së si dhe që kosovarëve tu mundësohet lëvizja e lirë, pa viza.

Lajme

15/10/2014 20:21

Ministri Hoxhaj e falënderoi ambasadoren Calster për kontributin dhe përkrahjen që shteti belg ka dhënë për Kosovën në këtë fazë të rëndësishme të shtetndërtimit dhe fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Hoxhaj veçoi mbështetjen e Belgjikës në proceset që i takojnë të ardhmes euroatlantike, duke u konfirmuar si një prej partnerëve të Kosovës, veçmas në procesin e negocimit të MSA-së dhe nevojën e nënshkrimit të shpejt të marrëveshjes së parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Me ambasadoren Calster u diskutua edhe për çështjen e liberalizimit të vizave dhe domosdoshmërinë që edhe kosovarët sa më parë të lëvizin pa viza në Evropë, njofton MPJ.