Hoxhaj: Të kërkohet sqarim nga BE kur liberalizohen vizat

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë për medie në të cilën ka folur për miratimin e djeshëm në Kuvend të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Lajme

22/03/2018 14:05

Zëvendësnkryetari i kësaj partie, Enver Hoxhaj, ka vlerësuar se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është vital për sovranitetin e Kosovës,

Hoxhaj ka thënë se nga sot institucionet e Kosovës duhet të komunikojnë me Brukselin për të kuptuar se kur qytetarët do të lëvizin pa viza.

“Nga dita e sotme institucionet duhet të komunikojnë sa më shpejtë me Brukselin për të parë se çka do të ndodh me lëvizjen e lirë. Ta dimë se kur do të përmbyllet ky proces”.“Vota pro ratifikimit është përmbushje e kushtit vendimtar, më të rëndësishëm që qytetarët të lëvizin lirshëm. PDK ka pasur një qëndrim të pandryshueshëm, të prerë për ta ratifikuar marrëveshjen dhe ne e shohim votën e deputeteve të rëndësishme, vendi ka hyrë në fazë të re, është pikë kthese. Jemi të interesuar të kemi konsensus politik edhe për tema të brendshme. Radha është për formimin e ushtrisë”, ka thënë Hoxhaj, raporton EO.

Ai ka shtuar se Lista Serbe ka vendosur veto të jashtme kundër formimit të ushtrisë së Kosovës dhe kjo sipas tij kjo nuk duhet të ndodh. Hoxhaj tutje tha se ky vit do të jetë vendimtar për formimin e ushtrisë.

“Sa i takon ushtrisë qëndrimi ynë ka qenë se nuk duhet të ketë veto të jashtme. Mënyra se si Lista Serbe është sjellë ka qenë veto e jashtme. Kjo gjë nuk mund të bllokohet në vazhdimësi, askush nuk mund ta bllokojë formimin e ushtrisë. Viti 2018 do të jetë vit vendimtar që Kosova të ketë ushtrinë, e cila nuk paraqet kërcënim për askënd”.