Hoxhaj takon shqiptarët në Kroaci: Lidhjet historike mes dy vendeve po forcohen

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka vazhduar me vizitën në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Kroaci ku sot ka takuar përfaqësues të komunitetit shqiptar atje, deputeten e vetme shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaska dhe ka mbajtur një ligjëratë.

Lajme

21/02/2017 18:40

Hoxhaj ka folur para një numri të përzgjedhurve nga shkenca, shoqëria civile dhe diplomacia, për raportet e jashtëzakonshme politike që ekzistojnë ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, edhe  për faktin që ka një lidhjehistorike mes dy shoqërive, transmeton lajmi.net

Si shembull, ai ka përmendur komunitetet shqiptare nga Kosova dhe kroate që jetojnë në të dyja vendet respektive dhe që e kanë forcuar këtë raport të veçantë mes të dy vendeve të Ballkanit.

“Sa herë që jam në Kroaci, kam një ndjenjë të fortë të raporteve të veçanta që kemi jo vetëm ndërmjet shteteve tona por edhe shoqërive. Janë edhe lidhje historike. Në kohë të ndryshme, kemi dhënë shumë për njëri-tjetrin dhe nuk dyshoj se do të jetë kështu përherë. Sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për intensifikim edhe më të madh të raporteve në të gjitha nivelet ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë” ka thënë Hoxhaj në ligjëratën e organizuar nga Lëvizja Evropiane e Kroacisë dhe Akademia Diplomatike.

Më pas, Kryediplomati Hoxhaj ka takuar edhe deputeten shqiptare në Kroaci, Lekaj Prljaska të cilën e ka falënderuar për përfaqësimin e shqiptarëve në këtë shtet.

Po ashtu, ai është takuar edhe me përfaqësues të komunitetit të shqiptarëve që jetojnë dhe veprojnë në Kroaci të cilët i ka ftuar që ti forcojnë edhe më shumë lidhjet me sy shteteve dhe popujve.

Një ditë më herët, Hoxhaj ka takuar krerët më të lartë institucional të Kroacisë, si Presidenten Kolinda Grabar-Kitarovicć, Kryeministrin Andrej Plenkovic, ministrin e Jashtëm, Davor Ivo Stier dhe ministrin e mbrojtjes, Damir Krstičević. /Lajmi.net/