Hoxhaj: Takimi Thaçi-Putin, moment i ri në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka cilësuar si një moment të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare takimin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi me atë të Rusisë, Vladimir Putin.

Lajme

12/11/2018 19:43

Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj është shprehur se është për keqardhje reagimi i disa partive në Kosovë të cilat sipas tij funksionojnë me skema bardhë e zi të të menduarit.

Postimi i plotë:

Takimi i presidentit Thaçi me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin është një moment i ri në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës. Është një ngjarje pozitive dhe njohje e realitetit të Kosovës së pavarur.

Është për keqardhje reagimi i disa partive politike në Kosovë të cilët funksionojnë në skema bardhë e zi të të menduarit dhe nuk i njohin zhvillimet ndërkombëtare përtej pragut të partive të tyre.

Presidenti i çdo vendi, edhe i yni, është simbol i sovranitetit në raport me botën e jashtme dhe zërat e shqetësuar duhet të jenë në Serbi dhe jo në Kosovë. Nuk ka qenë Serbia por Rusia ajo që e ka bllokuar anëtarësimin tonë në OKB. /Lajmi.net/