Hoxhaj: Shqiptarët faktor i rëndësishëm politik në Ballkan

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në Shkup për nder të Ditës së Flamurit.

Lajme

28/11/2018 17:33

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, me ftesë të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të festës së 28 Nëntorit në Shkup, shkruan lajmi.net.

Në fjalimin e tij, Hoxhaj ka thënë se kjo festë është sa kthim prapa në histori aq edhe reflektim i së ardhmes.

Sipas tij, shqiptarët janë faktor i rëndësishëm politik në Ballkan, një faktor që siç tha ai, çdoherë i ka kontribuuar stabilitetit të rajonit dhe orientimit properëndimor, shkruan më tutje lajmi.net.

Postimi i plotë i Hoxhajt pa ndërhyrje:

Me ftesë të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, kam marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të festës së 28 nëntorit, në Shkup.

Theksova se kjo festë është sa kthim prapa në histori aq edhe reflektim i së ardhmes.

Një festë që flet për rrugën e vështirë të shqiptarëve në histori, por edhe triumfet e shënuara.

Shqipëria u bë e pavarur më 1912, por kjo fitore nuk ishte e plotë, pasi që një pjesë e madhe e shqiptarëve mbetën jashtë kufijve.

Ajo u bë e plotë vetëm me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Por, kemi edhe një triumf tjetër të shqiptarëve, pasi u mundësua arritja e marrëveshjes së Ohrit (2011) e cila avancon pozitën e shqiptarëve në Maqedoni dhe asaj të Prespës (2018) e cila avancon pozitën e Maqedonisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Sot shqiptarët janë faktor i rëndësishëm politik në Ballkan.

Një faktor që çdoherë i ka kontribuuar stabilitetit të rajonit dhe orientimit properëndimor.

Urime 28 nëntori gjithë shqiptarëve ??. /Lajmi.net/