Hoxhaj: Shfrytëzimi i burimeve të ripërtritshme garancë për të ardhmen e sigurt energjetike të Kosovës

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në hapjen e parkut të parë të energjisë së erës në Kosovë, në Kikë të Kamenicës.

Lajme

25/10/2018 19:16

Ky projekt me kapacitet prodhimi për 32.4 megavat, është investim i kompanisë turke Güriş Holding, me makineri të dizajnuar nga General Electric në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se hapja e këtij parku të energjisë së erës është ngjarje e veçantë për Kosovën dhe zhvillimin ekonomik të saj, njofton kumtesa, përcjell lajmi.net

“Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik pa sigurinë dhe pavarësinë energjetike të Kosovës, sikurse nuk mund të ketë cilësi të mirë të jetës pa pasur diversitet energjetik dhe energji të pastër. Ky është dhe duhet të jetë prioritet i ardhshëm për Kosovën, si në rrafshin afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë, meqë ruajtja e mjedisit dhe përdorimi i burimeve të ripërtritshme të energjisë përbën të ardhme të sigurt energjetike për vendin”, tha Hoxhaj në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se vetë fakti që ky park i energjisë së erës është hapur kaq afër kufirit me Serbinë, tregon sa e rëndësishme është për vendin përmbyllja e shtetndërtimit të Kosovës duke arritur marrëveshjen finale me shtetin fqinj që garanton njohje të ndërsjellët dhe anëtarësim të Kosovës në OKB. Kjo, tha zëvendëskryeministri Hoxhaj, duhet të bëhet me qëllim të hapjes së një kapitulli të ri të ndërtimit të një shoqërie moderne. /Lajmi.net/