Hoxhaj: SHBA mbështetësi kryesor i Kosovës në proceset e integrimeve euro-atlantike

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar Zëvendës Asistentin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Hoyt Yee gjatë vizitës së tij në Washington.

Lajme

21/03/2017 18:52

Të dy kanë diskutuar për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes dy vendeve, si dhe mbështetjen për njohje dhe anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Hoxhaj ka thënë se SHBA mbetet mbështetës kryesor i Kosovës në proceset e integrimeve euro-atlantike, ndërsa ka theksuar se ka potencial për bashkëpunim edhe në fusha të reja të interesit të përbashkët.

“Kemi biseduar për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, mbështetjen e parezervë të SHBA-së për njohje të reja për Kosovën, anëtarësim në organizata ndërkombëtare si dhe zhvillimet më të fundit në rajon. SHBA-ja mbetet mbështetës dhe pikë reference për Kosovën kudo në botë dhe kjo marrëdhënie do të vazhdojë edhe në shumë fusha të tjera ende të pa-eksploruara”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj do të vazhdojë me takime në Kongres ditët e ardhshme, si dhe do të marrë pjesë në takimin vjetor të koalicionit Anti-ISIS.