Hoxhaj: Reagimet e Serbisë ndërhyrje e drejtpërdrejtë në çështjet e brendshme të Bosnjës

Zëvendës kryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj kërcënimeve që liderët serbë i kanë bërë Bosnjës, pasi që anëtari i presidencës së Bosnje Hercegovinës, Bakir Izetbegovic bëri disa deklarata në lidhje me njohjen e Kosovës nga Bosnia.

Lajme

14/11/2017 14:34

 

Hoxhaj ka thënë se reagimi i Serbisë ndaj vullnetit të Bosnjës për ta njohur Kosovën është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në cështjet e brendshme të këtij shteti dhe dëshmi e qartë se Serbia qëndron pas orkestrimit të stërzgjatjes së proceseve politike në Bosnjë, gjë që sjell pasoja për stabilitetin e Ballkanit.

Këtë reagim, Hoxhaj e publikoi në Twitter, pas deklaratave që erdhën nga presidenti serb, Aleksandër Vuciq i cili tha se Bosnia do ta marrë përgjigjen e merituar për këtë deklaratë.

Se Bosnia nuk do të mbetej pa përgjigje pas kësaj deklarate, u zotua edhe shefi it ë ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq. Reagime erdhën edhe nga liderët serbë në Bosnjë.

“Pa treshen (kryesinë e B e H), nuk mund të merrni vendime në raportet ndërkombëtare. Sa më përket mua, deri tani Kosova është dashur të pranohet. Tani do të zemërohen kolegët tanë, ndërsa përpjekjet tona që kjo mos të ndodhë kanë sjellë probleme brenda BeH, dhe nuk i kanë ndihmuar Kosovës”, ka thënë Izetbegoviq në një intervistë për Deutsche Welle.