Hoxhaj: Po hapet kaptinë e re e bashkëpunimit me Evropën Juglindore

Pas vizitës në Jeddah të Arabisë Saudite, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në Bukuresht të Rumanisë ku po merr pjesë në takimin ministerial të SEECP-së, njërës prej organizatave më të mëdha për bashkëpunim rajonal.

Lajme

20/06/2014 18:48

Nën kryesimin e Rumanisë, të gjithë ministrat e jashtëm të shteteve të rajonit kanë aprovuar deklaratën e përbashkët që i hap rrugën Kosovës për anëtarësim me të drejta të plota sikurse shtetet e tjera anëtare.

Njëherësh, deklarata në fjalë përshëndetë progresin e arritur në përfundimin e negociatave të MSA-së me BE-në, si pikë e veçantë e deklaratës ministeriale.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Enver Hoxhaj  e ka quajtur një ditë të veçantë për Kosovën ndërsa siç ka thënë ai, është hapur një kaptinë e re e bashkëpunimit në Evropën Juglindore.

“Sot është një ditë e veçantë për Kosovën pasi ministrat e jashtëm të vendeve të Evropës Juglindore përmes një deklarate të përbashkët hapën rrugën për anëtarësimin e Kosovës me të drejta të plota në njërën prej organizatave më të mëdha rajonale, SEECP. Me këtë, është hapur një kaptinë e re e bashkëpunimit në Evropën Juglindore dhe të përfshirjes së Kosovës në të”, ka thënë Hoxhaj.

Përfshirja e Kosovës është përshëndetur nga të gjithë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare përfshirë edhe atë serb, Ivica Dacic, derisa deklarata e përbashkët në SEECP është arritur nën kryesimin e Rumanisë. 

Organizata e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore SEECP, është themeluar në vitin 1996 dhe ka 12 anëtarë.