Hoxhaj: PDK e do Kosovën me këtë territor dhe këta kufij siç i kemi

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë se qëndrimi i PDK-së dhe kryetarit Veseli për kufijtë e Kosovës është i qartë.

Lajme

19/10/2018 22:00

Ai në “Debat Plus” ka thënë se PDK e do shtetin ashtu siç është dhe me më shumë njohje.

“Ne e duam këtë territor, këta kufij, këtë shtet siç e kemi ta komplotojmë duke marrë njohje të ndërsjellë me Serbinë e cila neve do të na mundësonte anëtarësimin në OKB. Ky është qëndrimi i PDK-së dhe qëndrimi i kryetarit Veseli”.

Hoxhaj ka thënë se para dialogut me Serbinë, për PDK-në është me rëndësi konsensusi i brendshëm politik.

“Problemi i Kosovës nuk është vetëm ideja e hedhur nga Thaçi, por problemi bazik është se ne nuk kemi një konsensus politike dhe nuk kemi një dokument të mirëfilltë për bisedimet me Serbinë”.

Ai ka thënë se nuk do të synohet asnjë marrëveshje finale me Serbinë, pa njohje të ndërsjellë në fund të procesit.

“Qëndrimi i PDK-së është se nuk bisedohet me Serbinë nëse nuk marrim një njohje nga ajo”.

Zyrtari i PDK-së ka deklaruar se në kohën kur ai ka qenë ministër i jashtëm, janë arritur shumë njohje edhe pse procesi i dialogut ishte në vazhdim e sipër.

Ai tha se suksesi i dialogut është se ndërlidhet rruga e Serbisë për BE.

“Serbisë i kalon rruga në BE nga Prishtina, dhe neve na kalon rruga për BE nga Beogradi, ky është sukses që ka dalë nga dialogu”, tha ai.