Hoxhaj para diplomatëve: Demarkacionin do ta ratifikojmë në janar

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se konsensusi në Kosovë për çështjen e demarkacionit të kufirit të vendit me Malin e Zi pritet të arrihet në fillimin e vitit të ardhshëm.

Lajme

29/11/2017 23:36

Këtë deklaratë, Hoxhaj e ka bërë në Uashington, në kuadër të një konference për Ballkanin, të organizuar nga Këshilli i Atlantikut.

“Do ta ratifikojmë marrëveshjen e demarkacionit në Kuvend, nuk mendoj se do të bëjmë ndonjë gjë tjetër”, ka thënë Hoxhaj para diplomatëve.

“Jemi të vetëdijshëm se (demarkacioni) është më shumë çështje e shpikur, sesa një çështje e vërtetë”, është shprehur ai.

“Duhet të krijojmë konsensus brenda koalicionit qeverisës, dhe brenda Kuvendit”, ka thënë Hoxhaj.

“Shpresoj se në janar mund të krijojmë momentum për këtë”, është shprehur ai.

Hoxhaj po ashtu ka folur edhe për dialogun me Serbinë, për të cilin ka thënë se duhet kaluar në fazën finale dhe të arrihet normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes dy shteteve.

Hoxhaj ka thënë se një gjë e tillë mund të ndodh në 2 vitet e ardhshme, por gjithmonë, sipas tij, duke u bazuar në kontekstin e brendshëm shtetëror të Kosovës dhe të Serbisë. /Express/