Hoxhaj në Slloveni flet për zgjidhje me kufij aktualë të Kosovës

Zëvendëskryeministri Hoxhaj në një panel për Ballkanin Perëndimor ne Forumin Strategjik te Bledit që është moderuar nga gazetari Tim Judah është pyetur nëse do të ndryshojë flamuri i Kosovës pas bisedimeve Kosovë –Serbi dhe nëse do të pranonte që Veriu i Kosovës t’i takojë Serbisë dhe Lugina e Preshëvës Kosovës

Lajme

11/09/2018 17:06

Gazetari i ka kërkuar një përgjigje me “po” ose “jo”, çka Hoxhaj ka refuzuar.

Ai ka thënë se Kosova do të angazhohet që ta konsolidojë shtetësinë në kufijtë aktualë, ndërsa ka qenë më decidiv kur është pyetur nëse do të ndryshojë flamuri i Kosovës si pasojë e qasjes së re të Presidentit Thaçi.

“Nuk do të ndryshojë as flamuri e as territori i vendit”.

Në këtë mënyrë Hoxhaj ka treguar se është ithtar i “politikës së vjetër” për konsolidimin e shtetit e jo i qasjes së Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi i cili po flet për këmbim territoresh ose bashkim të Preshevës me Kosovë, pa dhënë asgjë.

Ndryshe Hoxhaj ka thënë se Vuçiq është njeriu i fundit në Serbi të cilit i beson Kosova ndërsa ka theksuar se pala kosovare do të nënshkruaj vetëm marrëveshje që e njeh shtetësinë e Kosovës.