Hoxhaj në Malajzi për të shtuar bashkëpunimin ekonomik

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj sot ka vizituar shtetin e Malajzisë, vizita e parë që pas njohjes që i bëri ky shtet Kosovës.

Lajme

25/01/2017 14:47

Ai e ka takur ministrin e jashtëm malajzian, Dato’ Sri Anifah Aman, ku biseduan për të thelluar bashkëpunimin në fushat ekonomike, pasi ka potencial investues.

“Në takimin që kisha me ministrin e Jashtëm të Malajzisë biseduam për çështje të interesit reciprok të vendeve tona. Mund të them se Kosova gëzon një mbështetje të mirëfilltë në këtë vend, i cili ka një peshë të veçantë në Azinë Juglindore, qoftë në planin politik, apo atë ekonomik. Ndërsa, në takimet që kisha po ashtu me oda të ndryshme ekonomike ka një interes të shtuar për një bashkëpunim më të madh ekonomik me Kosovën”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.

Për bashkëpunim më të madh u shpreh edhe ministri malajzian, i cili ka theksuar se mundësitë për investime në dy shtetet janë të mëdha.

“Jemi shumë të interesuar për bashkëpunim të ngushtë me Kosovën. Ka mjaft fusha në të cilat do të mund të kishim bashkëpunim, veçanërisht në aspektin bilateral, atë të investimeve, dhe tregtisë. Mendoj që mundësitë janë të mëdha dhe jam i sigurt që sapo të vendosen Këshillet e Bizneseve mundësitë do të rriten dhe do të shfrytëzohen për të bashkëpunuar ngushtë me Kosovën dhe vende të tjera të botës”, u shpreh ministri i Jashtëm i Malajzisë, Dato’ Sri Anifah Aman.

Kjo është vizita e radhës e Enver Hoxhajt në shtetet e Azisë, pasi më herët kishte vizituar edhe Singaporin e Brunein. /Lajmi.net/