Hoxhaj në konferencën ministrore në Selanik

Enver Hoxhaj po merr pjesë në Konferencën Ministrore ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, që po organizohet në Greqi.

Lajme

07/05/2014 18:33

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka udhëtuar të mërkurën për një vizitë zyrtare në Greqi, me ftesë të presidencës greke të BE-së, ku do të marr pjesë në Konferencën Ministrore ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Përmes një komunikate për media të lëshuar nga MPJ, thuhet se Hoxhaj gjatë këtij Samiti do të jetë përballë ministrave të jashtëm të vendeve të rajonit dhe BE-së.

“Gjatë qëndrimit në Greqi, ministri Hoxhaj do të marrë pjesë në aktivitete të shumta në kuadër të kësaj konference, e cila organizohet me rastin e 10 vjetorit të Samitit të Selanikut, ku do të marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të shteteve të BE-së si dhe përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian”, thuhet në këtë komunikatë.

“Ministri Hoxhaj po ashtu do të takohet me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm grek, Evangelos Venizelos, si dhe me shumë homologë dhe përfaqësues të lartë të vendeve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor”.

“Vizita e ministrit Enver Hoxhaj në Greqi përbën një hap të rëndësishëm në kuadër të aktiviteteve për fuqizimin e raporteve me BE-në, shtetet anëtare të saj, në veçanti me shtetin grek, si dhe me vendet e tjera të rajonit”.