Hoxhaj në Bled: Kosova nuk do të pranojë asgjë më pak se njohje dhe ulëse në OKB nga marrëveshja me Serbinë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në panelin për Ballkanin Perëndimor, në Forumin Strategjik të Bledit ka folur në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi, ku ka theksuar se Kosova nuk do të pranojë asgjë më pak sesa njohje të ndërsjellët dhe anëtarësim në OKB nga marrëveshja finale me Serbinë.

Lajme

11/09/2018 18:49

Hoxhaj theksoi se deklaratat që Vucic i bëri gjatë vizitës në Kosovë, duke e lartësuar dhe glorifikuar Milloshevicin të bëjnë të mendosh se jemi kthyer prapa në vitet e 90a. ai tha se këto veprime dhe deklarata nga presidenti serb janë një hap prapa në procesin e dialogut.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj deklaroi se sa është e rëndësishme arritja e marrëveshjes finale, është edhe garanca e implementimit të saj, dhe se një gjë të tillë duhet ta garantojë Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i negociatave, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hoxhaj tha se ekziston një momentum pozitiv në Ballkan për të ecur përpara, por duhet të veprohet shpejtë në mënyrë që të gjitha shtetet ta zënë hapin.