Hoxhaj: Lista Serbe nuk mund ta pengojë planin e Kadri Veselit për Mitrovicën

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se kundërshtimi i projektin integrues për Mitrovicën, nga ana e Listës Serbe është destruktiv.

Lajme

14/08/2018 14:44

Ai duk komentuar deklarimet që ka bërë kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq për planin e prezantuar nga Kadri Veseli, ka thënë se Lista Serbe po dëshmon përsëri që nuk e ka prioritet përmirësimin e jetës së minoritetit serb në Kosovës.

Hoxhaj me anë të një postimi në Facebook, ka thënë institucionet e Kosovës do të angazhohen për mirëqenien e secilit qytetarë dhe ato nuk mund të ndalen nga sjelljet destruktive të Listës Serbe.

Postimi i plotë i Hoxhajt:

Reagimet e kryetarit të Listës Serbe duke kundërshtuar projektet integruese të cilat parashohin rregullimin e Mitrovicës në të dyja anët e lumit Ibër, dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve, të prezantuara së fundmi nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, janë tërësisht destruktive dhe dëshmojnë përsëri që Lista Serbe nuk e ka prioritet përmirësimin e jetës së minoritetit serb në Kosovë.

Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të angazhohen për projekte që kontribuojnë në mirëqenien e secilit qytetar të Kosovës, në gjithë territorin e shtetit. Këto projekte nuk do të mund të ndalen nga deklarata e sjellje destruktive si këto të fundit të Listës Serbe, e cila është shndërruar në vegël që Beogradi po e përdor për ta destabilizuar vendin.

Republika e Kosovës është shtet multi-etnik dhe angazhohet për mirëqenien të gjithë qytetarëve të saj./Lajmi.net/