Hoxhaj, kryeministër i ri?

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka mundësi që të jetë kryeministër i ri i Republikës së Kosovës.

Lajme

15/10/2014 13:39

Ky opsion vjen nga “tavolina gjermane” si mundësia më e mirë për të zgjidhur ngërçin politik të krijuar në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare.  

“Ambasadat të cilat e kanë sponsorizuar pavarësinë e Kosovës nuk donë që drejtpërdrejt të marrin pjesë në formimin e qeverisë, mirëpo ato e dinë se shanset për një funksionim normal të institucioneve, janë minimizuar shumë”, citon mediumet gjermane agjencia serbe e lajmeve B92.

“Opsioni që Hoxhaj të bëhet kryeministër i ri, një nga figurat kryesore të Partisë Demokratike të Hashim Thaçit, vjen për faktin se ai (Hoxhaj) ka marrëdhënie të mira me Berlinin”.

“Ky variant do ta bindte Thaçin të lëshojë pe, si dhe do t’i hap rrugë një koalicion të mundshëm PDK-LDK”, citon B92 mediat gjermane.

“Po ashtu, Ramush Haradinaj i ka dhënë ‘autogol’ vetvetes pasi shikohet ndryshe nga faktori ndërkombëtar pas marrëveshjes me Vetëvendosjen, veprimi i të cilëve për të rrethuar ambasadoren amerikane, Tracy Ann Jacobson dhe ambasadën amerikane nuk është i lehtë për tu falur”.