Hoxhaj i tregon Zbogar-it se Kosova po pret nënshkrimin e MSA-së

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në zyrën e tij përfaqësuesin e lartë të BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, me të cilin kanë diskutuar për procesin e nënshkrimit të MSA-së dhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

Lajme

10/07/2014 15:45

Hoxhaj e ka njoftuar Zbogarin me progresin dhe të arriturat e Kosovës në këtë drejtim, duke thënë se “institucionet kosovare presin që ta nënshkruajnë MSA-në me BE-në në një të ardhme të afërt dhe pa shumë vonesa”.

Sipas Hoxhajt, është me rëndësi që përfundimi në kohë rekorde i negociatave për MSA-në ndërmjet Kosovës me BE-në, të përfundojë me nënshkrimin e saj në këtë kohë, në mënyrë që të hapet perspektiva e qartë për Kosovën nga Brukseli. Njëherësh, sipas Hoxhajt, liberalizimi i vizave do të shënonte kthesën vendimtare jo vetëm për Kosovën në rrugën drejt BE-së, por edhe për rajonin.

Nga ana e tij, Samuel Zbogar e ka njoftuar ministrin Hoxhaj për qëndrimet e Brukselit për këto tema dhe të tjera të ngritura gjatë takimit, njofton komunikata e lëshuar për media nga MPJ.