Hoxhaj: I kemi votat e mjaftueshme për ratifikimin e Demarkacionit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj duke folur në lidhje me seancën e nesërme për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, ka thënë se qeveria i ka votat e mjaftueshme për miratimin e kësaj marrëveshjeje.

Lajme

21/02/2018 20:45

Hoxhaj nuk e përjashtoi as mundësinë e negocimit me deputetë individualë nga të gjitha partitë politike. Sa i përket Listës Serbe, Hoxhaj shprehu besimin se një pjesë e deputetëve të kësaj partie do ta votojnë marrëveshjen.

Këto komente zëvendëskryeministri i bëri në emisionin “Debat D” në RTV Dukagjini. Hoxhaj më tej ka folur edhe për liberalizimin e vizave, gjë që është kushtëzuar tash e tre vite me ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit.

Ai tregoi një rast personal ku tha se ka shkuar për ngushëllime tek një familje dhe njëri nga familjarët e ka lutur që t’ia sigurojë një vizë për ta vizituar Slloveninë për një çështje shëndetësore.

Hoxhaj tregoi se i është dashur personalisht ta lusë ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë për t’ia siguruar një vizë qytetarit në fjalë.

Me këtë shembull, Hoxhaj tha se lëvizja e lirë e qytetarëve është e drejtë fundamentale e tyre, dhe theksoi se është e padrejtë që qytetarët të mbesin peng i proceseve politike, siç ka qenë rasti me demarkacionin.