Hoxhaj flet atyre për MSA-në në Berlin

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në Berlin ku pritet të ketë një sërë takimesh dhe ligjëratash në kryeqytetin gjerman.

Lajme

05/11/2014 17:43

Gjatë ditës, ministri Hoxhaj së bashku me ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë zhvilluar një takim të mbyllur diskutimesh me eurodeputetë, diplomatë dhe përfaqësues të rëndësishëm të vendeve anëtare të BE-së, njofton komunikata nga MPJ.

Ministrat kanë ndarë në takimin e mbyllur idetë e tyre si të forcohet më tej bashkëpunimi rajonal dhe që vendet të lëvizin më shpejt drejt zhvillimit ekonomik dhe rrugës evropiane.

Hoxhaj ka thënë se për Kosovën është shumë me rëndësi të nënshkruhet MSA-ja, të liberalizohen vizat dhe të vazhdojë dialogu me Serbinë.

“Sot kam marrë pjesë në një konferencë të ministrave të punëve të jashtme të Ballkanit Perëndimor në të cilin takim kanë qenë të pranishëm edhe shumë diplomatë, politikanë dhe deputetë nga vendet e Bashkimit Evropian. Temë kryesore ishte agjenda integruese evropiane për rajonin, dhe në këtë takim ngrita domosdoshmërinë e nënshkrimit të MSA-së ndërmjet Kosovës dhe BE-së, marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave si dhe çështje të bashkëpunimit rajonal dhe të dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Hoxhaj.

Pasdite vonë, Hoxhaj së bashku me ministrat e jashtëm të Evropës Juglindore marrin pjesë në Konferencën e gjashtë të Aspenit për bashkëpunimin në rajon të thirrur nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier dhe sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond.

Ministrat do të diskutojnë për temën “Ballkani perëndimor në rrugën drejt integrimit evropian: Progresi i qëndrueshëm dhe reformat”, ndërsa ngjarja do të jetë e hapur për publikun dhe pritet të marrin pjesë një numër i madh i personaliteteve, politikanëve, diplomatëve dhe gazetarëve.