Hoxhaj e Hyseni përplasen për Politikën e Jashtme

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj thotë se brenda dy muajve të vitit 2014 janë arritur rezultate konkrete në fushën e politikës së jashtme. Por, ndryshe mendon ish-Ministri Skënder Hyseni. Ai thotë se po sheh lloj-lloj strategjish por asnjë rezultat.

Lajme

24/02/2014 10:04

Ministri i Punëve të Jashtme, Ever Hoxhaj, pretendon se ka bërë një punë të jashtëzakonshme në implementimin e objektiveve të saj për dy muajt e parë të vitit 2014, mirëpo opozita mohon arritjen e ndonjë rezultati në fushën e politikës së jashtme gjatë kësaj periudhe kohore.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë për “Epokën e Re” se shumë pak ditë ka qëndruar në Kosovë dhe se është angazhuar maksimalisht për implementimin pikë për pikë planin e ministrisë për këtë vit.

Por, ndryshe mendon ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni. Sipas tij, s’ka asnjë rezultat nga lloj-lloj strategjitë e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ministri dhe ish Ministri i Punëve të Jashtme janë përplasur në distancë për punën e diplomacisë kosovare.

“Faktet janë konkrete: njohjet po vijnë, MSA’në nuk ka kush që e ndal, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare po vazhdon, mandati i ri i FSK’së tashmë është promovuar nga vetë kryeministri Thaçi nëpërmjet emrit Forcat e Armatosura të Kosovës, kështu që ka rezultate konkrete”.

Ai ka treguar se prej tetorit të vitit të kaluar MPJ’ja ka punuar në mënyrë intensive në hartimin e një plani të punës për vitin 2014.

“Po flas për planin tonë të punës përderisa sa i përket strategjisë ne i kemi hartuar disa parime të cilat i kemi qarkulluar përbrenda qeverisë, ndërsa një dokument më të plotë strategjik, afatgjatë për vitin 2014, duhet ta hartojmë gjatë vitit dhe në këtë jemi duke punuar intensivisht”.

Por me këto konkludime nuk është pajtuar ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, sipas të cilit, MPJ’ja për këta tre vjet ka bërë shumë strategji, mirëpo asnjë prej tyre nuk ka sjell rezultate konkrete.

“Po shoh shumë strategji, lloj-lloj strategjish për politikën e jashtme. E vërteta është se Ministria e Jashtme na ka ngopur me strategji këta tre-katër, vjet, por unë rezultate nuk po shoh”.

“Është lehtë të bësh strategji por strategjitë, nëse nuk përkthehen në rezultate konkrete, janë asgjë”, ka thënë Hyseni për “Epoka e Re”.