Hoxhaj: Berlini, adresa evropiane e Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar të martën një takim me ambasadorin Ernst Reichel, i ngarkuar i Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë për Evropën Juglindore dhe shtetet e EFTA-s.

Lajme

08/04/2014 14:54

Gjatë takimit me ambasadorin Reichel, i cili më herët ka qenë ambasador i Gjermanisë në Prishtinë, ministri Hoxhaj e ka njoftuar për progresin e vazhdueshëm që po arrihet në Kosovë.

Hoxhaj veçoi fuqizimin e vazhdueshëm të shtetësisë, subjektivitetit ndërkombëtar si dhe avancimin e rrugës integruese euroatlantike të Republikës së Kosovës.

Ai shprehu mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për kontributin dhe mbështetjen që Gjermania po jep për Kosovën në të gjitha aspektet.

Ministri Hoxhaj theksoi veçanërisht rëndësinë e përkrahjes së Gjermanisë për përmbylljen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, liberalizimin e vizave si dhe të anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Ambasadori Reichel vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të Gjermanisë për Kosovën në proceset integruese, duke përfshirë nënshkrimin e  Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Reichel po ashtu shprehu përkrahjen e Berlinit për proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Ministri Hoxhaj dhe ambasadori Reichel biseduan edhe për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet dy shteteve.

Ministri i Jashtëm i Kosovës shprehu përkushtimin e Qeverisë për fuqizimin e mëtutjeshëm të raporteve dhe shkëmbimeve të gjithanshme bilaterale me Gjermaninë, si një ndër partnerët kryesor strategjik të Kosovës.

Edhe ambasadori Reichel shprehu vullnetin e Qeverisë gjermane për thellimin e bashkëpunimit bilateral me Kosovën.