Hoxha thotë se përfshirja e Ballkanit në BE siguron stabilitet në rajon

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka marrë pjesë në takimin e Ministrave përgjegjës për çështjet evropiane.

Lajme

21/02/2019 15:13

Në Vjenë të Austrisë është zhvilluar takimi i ministrave përgjegjës për çështjet evropiane, ku po merr pjesë edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Hoxha ka bërë të ditur se, në konferencën e mbajtur pas këtij takimi, ajo ka falënderuar Austrinë për përkrahjen ndaj Kosovës.

Hoxha po ashtu ka thënë se përfshirrja e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të siguronte stabilitet në rajon.

Postimi i plotë i Hoxhës pa ndërhyrje:

Pas takimit të Ministrave përgjegjës për çështjet evropiane, në Vjenë, kam dhënë Deklaratë për shtyp ku kam cekur se Kosova mirëpret dhe vlerëson shumë partneritetin me Austrinë dhe jam mirënjohëse ndaj Ministrit Blümel për përpjekjet e tij për të çuar përpara agjendën strategjike për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kemi pasur diskutime konstruktive me pjesëmarrësit dhe u përsëritë rëndësia që BE të fokusojë politikën e saj të jashtme deri në vitin 2025 dhe më tej në procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Përfshirja e Ballkanit Perëndimor në zgjerim, është vendimtar për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. /Lajmi.net/