Hoxha: Të gjeturat e Raportit për Kosovën po trajtohen me prioritet, presim rekomandimin për vizat – Lajmi.net
Hoxha: Të gjeturat e Raportit për Kosovën po trajtohen me prioritet, presim rekomandimin për vizat
Autori: Lajmi.net LajmePolitikë 12:23, 8 June 2018
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se institucionet e Kosovës janë duke punuar në të gjitha drejtimet e mundshme për të avancuar në procesin e integrimit evropian, derisa përmendi përparësitë dhe mangësitë e pasqyruara në Raportin për Vendin të vitit 2018, te cilat tha se trajtohen me seriozitet.

Hoxha deklaroi kështu në diskutimin e organizuar nga Ministria e saj lidhur me“Raportin e Komisionit Evropian për Kosovë 2018”.

“Jemi duke punuar në disa drejtime, me theks të veçantë në sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe plotësim të standardeve evropiane. Siç e dini, Kuvendi i Kosovës më 30 maj 2018 ka miratuar planin e Kombëtar për zbatimin e MSA-së. Për vitin 2017, ky plan është përmbushur 62 %. Pa i reformuar të gjitha këto fusha nuk mund të themi se jemi afër integrimit evropian”.

Në fushën e sundimit të ligjit, Hoxha tha se janë duke punuar në përmbushjen e obligimeve që dalin nga Agjenda për Reforma Evropiane, plani për zbatimin e MSA-së dhe sfidat e raportit për Kosovën, raporton Ekonomia Online.

“Përqendrimi është në politika dhe legjislacion, konsolidim të strukturave institucionale dhe përmirësim në zbatimin e legjislacionit. Reforma e Administratës Publike është duke u bërë në koordinim të plotë me BE-në”.

“Fuqizimi i sektorit të sundimit të ligjit do të ketë ndikim pozitiv në përmbylljen e procesit të liberalizimit tëvizave, krijimin e një mjedisi më të favorshëm për biznese dhe investime të huaja. Kosova sa i përket liberalizimit të vizave, presin në qershor rekomandim pozitiv. Në rrafshin ekonomik, Kosova ka bërë progres në aspektin e kushteve të të bërit biznes”.

Hoxha shtoi se Qeveria është duke punuar në përafrimin e legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së fuqizimin e strukturave institucionale, të cilat do të rrisnin nivelin e bashkëpunimit ndërinstitucional e bashkë me këtë edhe nivelin e zbatimit të legjislacionit, theksoi Ministrja Hoxha, duke shtuar edhe sfidat në fushën e mjedisit, raporton EO.

“Edhe në përmbushjen e standardeve evropiane, qeveria është duke punuar në përafrimin e legjislacionit me BE-në. Jemi të vetëdijshëm për sfidat në mjedis. Jemi duke punuar në impiantet e ujërave të zeza, por mbetet shumë për t’u bërë në shumë sektorë”.

Mentor Sahiti, anëtar i bordit të drejtorëve në shoqatën STIKK, themelues i Adaptivit, tha se sa i përket sektorit të bizneseve ka ende shumë punë për t’u bërë.

Sipas tij është shumë e rëndësishme të ketë sundim të ligjit.

“Ekonomia jonë nuk është as për së afërmi të jetë konkurruese me tregun e BE-së. Nuk duhet të ndryshojmë qasje çdo dy tri vjet, diçka që e nisim sot duhet ta ndjekim për 10 vjet. Sundimi i ligjit, çdo investitor, edhe unë nëse s’ka siguri nuk investoj, kjo është pjesa që duhet me punu. Kompanitë vendore duhet të kenë mundësi të zhvillohen, të arrijnë kërkesat e tregut evropian”.

Arben Hoti, gjyqtar i Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore të Prishtinës, tha se detyrat e fundt që u janë dhënë shërbejnë për fuqizimin e një gjyqësori të pavarur, të paanshëm, zero tolerancë kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.  Sipas tij, për luftë të suksesshme kundër korrupsionit nevojitet bazë e mirë ligjore.

“Periudha para nesh pret angazhim prej gjyqësorit me qëllim që ne të krijojmë një gjyqësor të pavarur, ku askush nuk është mbi ligjin, ku respektohen të drejtat e njeriut, llogaridhënës. Ne nuk jemi të vetëdijshëm nganjëherë se gjyqësori ka pasur shkëputje në vitet e 90, rrethanat e pas luftës siukur e ka gjetur të papërgatitur për t’u përshtatur me rrethanat e reja”.

“Kemi reformuar sistemin e gjyqësorit nga viti 2010. Hapat e fundit, detyrat që na u janë dhenë shërbejnë për fuqizimin e një gjyqësori të pavarur, të paanshem, zero tolerancë kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave. Për luftë të suksesshme kundër korrupsionit nevojitet bazë e mirë ligjore, dhe këto iniciativa nuk kanë munguar”.

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO