Hoxha: Prokurorët vendorë të merren me raste të rënda, ose shkarkohen (video)

Kryeprokurori i shtetit, Sylë Hoxha, thotë se prokurorët kanë guxim të merren me raste të rënda. Mirëpo, sipas tij, ata më shumë janë zëvendësuar me prokurorët ndërkombëtar për shkak të njohtësive e rrethanave tjera që ekzistojnë në Kosovë.

Lajme

30/09/2014 15:47

Hoxha thotë se prokurorët duhet ta dinë qysh para aplikim për pozitë të prokurorit se me çfarë përgjegjësi dhe me çfarë obligime do të merren ata, pa u hamendësuar fare.

Në një prononcim për lajmi.net, kryeprokurori i shtetit ka thënë se nuk ka raste kur ka ndodhur ndonjë shkarkim me një arsye të tillë, por nuk ka përjashtuar se ka pasur ulje të pozitës së prokurorëve kur ata kanë refuzuar të merren me raste të rënda.

“Një qëndrim nga shefi në ikje i EULEX-it, Bernard Borchard, që thotë se prokurorët vendor duhet të shkarkohen nga puna nëse ata s’mund të marrin raste të rënda, unë e përkrah. Prokurori kur aplikon për këtë pozitë, ai i di përgjegjësitë dhe obligimet që i ka pa hamendje dhe mëdyshje. Duhet ta kryejë punën ashtu siç është i obliguar me ligj”.

“Deri më tash nuk ka ndodhur ndonjë shkarkim, por janë dhënë disa masa disiplinore, ulje prej detyrës prej një niveli më të lartë, e ndoshta do të ndodhin edhe masa më të ashpra, varësisht prej shkeljeve të prokurorëve”, ka thënë Hoxha.

Raste të shumta që nga paslufta në Kosovë kanë treguar që kanë qenë prokurorët ndërkombëtarë ata të cilët i kanë marrë përsipër rastet e ndjeshme. Por, Hoxha arsyeton këtë “braktisje” të detyrës nga vendorët për shkak të territorit të vogël të Kosovës e cila u krijon mundësi njerëzve të njihen më lehtë e të mos jenë pastaj objektiv në shqyrtimin e lëndëve.

“Kjo ka ndodhur për shkak të disa rrethanave të cilat kanë qenë në Kosovën e Pasluftës, një Kosovë që është vend i vogël dhe njihemi, e kështu me radhë… Përndryshe, unë nuk dyshoj as në profesionalizmin por as në guximin profesional të prokurorëve. Mund të jetë ndonjë individ që kërkon të largohet, mirëpo sistemi prokurorial i Kosovës konsideroj se ka prokuror mjaft të guximshëm dhe të ngritur profesionalisht”.

Javë më parë, kryeprokuroria kishte thënë se ka në fokus dhe se po merret me hetimin edhe të peshqve të mëdhenj, duke aluduar në disa deputetë e fytyra të njohura politike për publikun. Por, deri më tani ajo s’ka shfaqur asnjë rezultat në këtë drejtim, edhe pse kryeprokurori thotë se nuk do të ketë seleksionime për askënd.

“Varësisht prej rasteve të cilat na vijnë prej policisë apo agjensioneve të ndryshme, me të cilët ne bashkëpunojmë dhe të cilët merren me sundimin e ligjit, ne do të veprojmë. Nuk do të ketë seleksionim nuk do të ketë pardon për askënd”.

Sa i përket moskryerjes së punëve në fjalë nga prokurorët vendorë i është lënë faji edhe pagës së ulët, por, që nga 1 janari pagat janë rritur, mirëpo, siç thotë Hoxha, ato ende nuk janë dinjitoze përball punës që ata bëjnë.

“Paga që prokurori sot merr nuk është dinjitoze, as edhe e gjyqtarëve duke pasur parasysh përgjegjësinë dhe peshën e punës dhe aktivitetit profesional që e zhvillojnë”, ka thënë Hoxha.