Hoxha: Mosmiratimi i IPA-s nga LDK i pakuptimtë, tendencë e ndryshimit të orientimit drejt BE-së

Kosova ende ka kohë ta votojë marrëveshjen financiare me BE-në, IPA 2017 pjesa e parë, nga e cila do të përfitonte 49 milionë euro.

Lajme

03/08/2018 16:37

Afati i fundit që kjo marrëveshje të votohet në Kuvend është 31 dhjetori i vitit 2018.

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta ratifikojë këtë marrëveshje në sesionin pranveror, pavarësisht se kjo pikë ishte dy herë në rend dite, pas bojkotimit të partive opozitare.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha ka paralajmëruar dëme për Kosovën, nëse kjo marrëveshje nuk ratifikohet.

Ajo për lajmi.net ka thënë se është shqetësues  fakti i mos votimit qysh në seancën e parë nga subjekte të caktuara, të cilat në Qeverinë Mustafa vetë kanë qenë dizajnuese të këtyre projekteve.

Hoxha e ka vlerësuar të pakuptimtë mos votimin e kësaj marrëveshje, pasi sipas saj, partitë që nuk kanë votuar këtë marrëveshje nuk kanë pasur ndonjë vërejtje për këtë marrëveshje.

E para e dikasterit që udhëheq procesin e integrimit evropian të Kosovës, ka thënë se mos votimi i marrëveshjeve të BE-së, është tendencë e ndryshimit të orientimit të Kosovës drejt BE-së.

“Nëse marrëveshja IPA 2017, pjesa e parë, nuk ratifikohet deri më 31 dhjetor 2018 atëherë shuma prej 49 milion EUR anulohet tërësisht nga BE. Nëse ne si Kosovë jemi të përkushtuar drejt integrimit në BE dhe në anën tjetër nuk i votojmë marrëveshjet e BE-së në Kuvend, atëherë kjo tregon për tentim të ndërrimit të kursit të Kosovës drejt BE-së, për çfarë qytetarët e Kosovës nuk e kanë asnjë interes dhe fundja kjo është kundër frymës pro evropiane që mbretëron thellë në shoqërinë kosovare”.

“Nëse kjo marrëveshje nuk miratohet në Kuvend dëmet do të jenë shumë-dimensionale dhe të pariparueshme në raportet mes Kosovës dhe BE-së”, është shprehur Hoxha për lajmi.net.

Kuvendi i Kosovës, në seancën e fundit të sesionit pranveror e kishte në rend dite miratimin e marrëveshjes IPA 2017 pjesa e parë, por që kjo marrëveshje nuk ishte miratuar për shkak se LDK e Vetëvendosje nuk e kishin votuar.

Ata këtë e kishin bërë si reagim ndaj disa deputetëve të shumicës, për siç kanë thënë ata, sjellje arrogante dhe fyese ndaj deputetëve opozitarë.

Marrëveshja ndërkombëtare për miratim në Kuvendin e Kosovës, kërkojnë 2/3 e votave të deputetëve, pra së paku 80 vota./Lajmi.net/