Hoxha: Kosova tregoi progres në luftën kundër korrupsionit – të fokusohemi në zbatimin e ligjit

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha ka komentuar raportin e progresit i cili u publikua nga Komisioni Evropain gjatë ditës së djeshme.

Lajme

18/04/2018 09:02

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Hoxha ka shkruar se ky raport ka qenë pozitiv dhe se sipas saj në të gjitha fushatë Kosova ka arritur vetëm progres.

Po ashtu sipas ministres Hoxha e cila në mandatin e kaluar qeverisës ka qenë ministre e Drejtësisë ka  shkruar se një nga çështjet më të rëndësishme që ka shënuar progres sipas këtij raporti është lufta kundër korrupsionit.

“Ndër çështjet më të rëndësishme në këtë raport, është njohja e progresit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me këtë rast, KE, ka potencuar se institucionet e Kosovës kanë bërë progres në ndjekjen e rasteve të profilit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka shkruar Hoxha.

Mirëpo për kundër kësaj ajo ka thënë se këtë vit Kosova duhet të fokusohet në zbatimin e ligjit.

“Gjatë këtij viti, duhet të fokusohemi më shumë në fuqizimin e zbatimit të ligjeve, implementimin e reformës së administratës publike, duhet vazhduar lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe duhet rritur konfiskimi i aseteve”, ka shkruar Hoxha.

Ndër tjera ajo ka thënë se “Raporti në përgjithësi, ka vlerësuar se institucionet e Kosovës kanë arritur progres në fushën e kritereve ekonomike, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si dhe në përgjithësi sa i përket harmonizimit të legjislacionit me standardet e BE-së”.