Hoxha: Kosova të ketë afat kohor dhe të përfshihet në planet konkrete të zgjerimit të BE-së

Mundësia që Kosova të mbetet jashtë Strategjisë së zgjerimit të Bashkimit Evropian ka alarmuar zyrtarët e institucioneve të Kosovës, të cilët kanë shpeshtuar takimet me ambasadorët e huaj duke kërkuar që Kosova të jetë e përfshirë në këtë strategji.

Lajme

26/01/2018 13:11

Rrezikun që për Kosovën mos të ketë afate kohore e as kushte për anëtarësim në bazë të kësaj strategjie të zgjerimit deri në vitin 2015 e ka paralajmëruar ditë më parë zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Por, ministrja e Integrimeve Evropiane të Kosovës Dhurata Hoxha, në një intervistë për lajmi.net ka thënë se Kosova duhet të përfshihet në këtë strategji.

Ajo thotë se zyrtarisht nuk kanë pranuar ndonjë draft të kësaj strategjie, e cila nga BE do të publikohet në muajin shkurt.

E para e dikasterit që merret me proceset integruese të Kosovës, Dhurata Hoxha thotë se një strategji e tillë pa Kosovën, nuk do të ishte e plotë dhe nuk do te kishte kuptim.

Hoxha në këtë intervistë ka folur edhe për nevojën e ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi, ndërsa ka shtuar se nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, sipas saj  sjellë dilema të panevojshme për rrugën integruese, duke shtuar se izolimi i vendit duhet të marrë fund në vitin 2018.

Lajmi.net: Zëvendëskryeministri z. Enver Hoxhaj ka shprehur një shqetësim i cili duke ju referuar një drafti të strategjisë për zgjerim të Bashkimit Evropian ka thënë se për Kosovën nuk ka kushte e as afate kohore drejtë anëtarësimit në BE. A ka ministria e Integrimeve Evropiane një informacion të tillë?

Hoxha: Bashkimi Evropian, në shkurt të këtij viti do të publikoj Strategjinë e zgjerimit ku ne si bartës të përgjegjësive të shtetit, kërkojmë që edhe Kosova të jetë e përfshirë me një gjuhë shumë konkrete dhe përcaktuese që një herë e përgjithmonë do ta ankoronte Kosovën brenda gjirit të BE-së dhe vlerave të saj. MIE ende nuk ka pranuar ndonjë draft te kësaj Strategjie.

Unë kam kërkuar vazhdimisht qe Kosova të ketë afat kohor dhe të përfshihet në planet konkrete të zgjerimit, si statusi i vendit kandidat, aplikimi dhe bisedimet. Brenda shtetit tonë ka konsensus në aspektin e integrimit, Kosova është e fundit në Ballkan në këtë proces. Viti 2017 ka qenë një vit ku kemi pasur zgjedhje dhe nuk kemi arritur të bëjmë shumë punë dhe të kemi rezultate. Gjatë këtij viti, kemi dinamizim dhe intensifikim të procesit integrues. Fundja çfarëdo strategjie, që bën fjalë për integrimin e Ballkanit perëndimor pa Kosovën, nuk do të ishte e plotë dhe nuk do te kishte kuptim. Republika e Kosovës është pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe duhet trajtuar me seriozitetin e njëjtë si shtetet fqinje.

Lajmi.net: Do të jetë prioritet i ministrisë dhe i qeverisë agjenda evropiane nëse Kosova me të vërtet nuk bënë pjese në strategjinë e zgjerimit të BE-se për vitet e ardhshme?

Hoxha: Reformat që kërkohen me agjendën evropiane nuk janë reforma që na duhen vetëm për integrim në BE por edhe për funksionimin më të mirë të institucioneve dhe rrjedhimisht përmirësimit të mirëqenies së qytetareve. Rruga jonë drejtë integrimit dhe bashkimit me familjen e madhe Evropiane është e pandalshme. Mirëpresim strategjinë integruese për këtë pjesë të Evropës, ku ne duhet të kemi vëmendjen dhe qasjen e duhur. Ne do të vazhdojmë të punojmë sa më shumë në mënyrë që të avancojmë drejt procesit integrues. Zbatimi i MSA-së, është prioritet themelor i institucioneve tona. Zbatimi i Agjendës Evropiane të Reformave e kemi prioritet kryesor.

Lajmi.net: Qeveria e Kosovës synon që në vitin 2021 të marrë statusin e vendit kandidat, besoni se një gjë e tillë mund të ndodh, duke pasur parasysh zhvillimet në vend, e sidomos nëse nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale miratohet në Kuvend?

Hoxha: Ne duhet të tregojmë seriozitet maksimal në këto procese. Duhet të kemi besim në partneritetin tonë strategjik me vendet e dëshmuara mike.

Ende nuk kemi unitet që të ratifikojmë demarkacionin dhe ky është një sinjal i keq, po ashtu, riaktualizimi i diskutimeve për Gjykatën speciale sjell dilema të panevojshme për rrugën tonë. Duhet të dëshmojmë unitet dhe konsensus për këta kapituj, aq të domosdoshëm në proceset jetike për vendin dhe qytetarët tanë.

Nuk duhet që edhe në vitin 2018 të jemi ende të izoluar, unë shpresoj që të vendosim qytetarin në rend të parë, këtu është edhe interesi i vendit. /Lajmi.net/