Hoxha: FMN është përkrahës i fuqishëm i procesit integrues

Ministrja e Integrimit Evropian, ka takuar sot, ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), z. Giussepe Cipollone, ekspert i FMN-së për sektorin publik të investimeve dhe Albert Touna Mama, ekspert i makroekonomisë dhe financave.

Lajme

07/12/2017 15:58

Në takim, Ministrja Hoxha, vuri në dukje rëndësinë e investimeve në sektorin publik, stabilitetin makrofinaciar të Kosovës si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Bashkëpunimi me FMN-në është me rëndësi strategjike për proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Ne jemi të përkushtuar për agjendën evropiane, andaj zbatimi i projekteve të parapara në këtë agjendë si zhvillimi ekonomik, ngritja e mirëqenies së qytetarëve, dëshmojmë gatishmërinë tonë të jemi pjesë e integrimeve euro-atlantike”, ka theksuar ministrja Hoxha, thuhet në komunikatën e ministrisë.

Programet e parapara të reformës nga agjenda evropiane, janë po ashtu ngushtë të lidhura me aktivitetet e përbashkëta me FMN-në, theksoi Ministrja Hoxha, duke theksuar se mirëpret përkrahjen e kësaj agjende.

Cipollone dhe Touna Mama, ofruan përkrahje dhe ekspertizën e tyre në favor të kësaj agjende dhe theksuan se dinamizimi i procesit dhe zbatimi i projekteve të parapara, kanë përkrahje në FMN.

FMN ofron përkrahje në shumë fusha të cilat janë thelbësore në procesin integrues euro-atlantik, në veçanti për Ministrinë e Integrimit Evropian./Lajmi.net/