Hoxha: Do t’ia bëj me dije Hahnit se presim aprovimin e vendimit për liberalizim

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur sot Komisionarin e Bashkimit Evropian për zgjerim, Johannes Hahn, në kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duke e vlerësuar vizitën e tij si të rëndësishme.

Lajme

03/12/2018 16:55

Me këtë rast, Ministrja Hoxha në rrjetin social ka shkruar:

“Në kufirin shtetëror me Serbinë, në Merdar, sot, mirëprita ardhjen e Komisionarit për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.

Ardhja e tij sot në Kosovë, është me rëndësi sepse është e lidhur me klimën aktuale në raportet e Republikës së Kosovës me fqinjët, me mesazhe të paralajmëruara për promovimin e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim rajonal.

Gjithsesi, fokusi ynë është jo vetëm fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal për të cilën kemi dhënë prova të bollshme, por edhe integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe liberalizimi i vizave.

Nuk mund të arrihen suksese në procese integruese, nëse qytetarët e Kosovës kanë kufizime dhe janë të vetmit në Evropë të getoizuar. Ne kemi plotësuar të gjitha 95 kushtet e parapara me udhërrëfyesin e liberalizimit, andaj, ajo që presim ne është aprovimi i lëvizjes së lirë, si hap i nevojshëm i mirëbesimit dhe realizimin e përpjekjeve për procesin integrues dhe vlerave të përbashkëta integruese.

z.Hahn, do t’ia bëj me dije se ashtu siç ata kanë pritur nga ne plotësimin e 95 kushteve nga udhërrëfyesi për liberalizim, edhe ne presim nga ju aprovimin e vendimit për liberalizim në Këshillin e Ministrave!”. /Lajmi.net/