Hoti: Tryeza e rradhës të thirret nga ndonjë parti tjetër

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, pas mbajtjes së takimit të sotëm në tryezën e përbashket me partitë politike, organizuar nga LDK-ja, u shpreh se Kosovën e presin sfida të mëdha përpara vetes për të cilat kërkohet konsensus nga i gjithë spektri politik.

Lajme

25/04/2018 17:21

Hoti shkruan në Facebook se pret që në të ardhmen të thirren tryeza të ngjashme nga partitë tjera sipas fuqisë politike të tyre.

Ky është postimi i plotë i Hotit në Facebook:

Sot u mbajt tryeza e partive politike e organizuar nga LDK-ja ku morën pjesë të gjitha partitë politike parlamentare dhe joparlamentare. Roli i LDK-së, si partia më e madhe në vend, në këtë nismë, është koordinues, me qëllim hapjen e mundësisë që subjektet politike të debatojnë e të propozojnë zgjidhje për situatën politike në vend. Tryeza tjetër presim të thirret nga partitë e tjera sipas fuqisë politike që ka secila.

Vlerësimi i LDK-së është se qeverisja 7-mujore ka qenë e vështirë dhe në disa raste shumë të rëndësishme janë nxjerrë vendime arbitrare dhe problematike. Temat e mëdha ka qenë e vështirë të adresohen duke qenë se koalicioni ka qenë tepër i brishtë, me vetëm 61 vota. Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi u ratifikua me mbështetjen vendimtare të LDK-së.

Vendin e presin temat të mëdha: vazhdimi i dialogut me Serbinë, formimi i Asociacionit, formimi i ushtrisë, reformat e agjendës evropiane, reforma zgjedhore etj. Ne mendojmë se këto tema duhet të diskutohen në këtë format dhe së bashku.

Kriza institucionale në muajin e fundit ka pamundësuar adresimit të çështjeve madhore. Tash koalicioni ka humbur shumicën parlamentare, me daljen e Listës Serbe nga koalicioni. Mungesa e shumicës në Kuvend e pamundëson qeverisjen normale demokratike. Prandaj, forcat politike duhet të gjejnë zgjidhje për të dalë nga kjo situatë. Ky cikël debatesh, që po nis me këtë tryezë, duhet të shterojë debatin për të dalë nga kjo situatë. /Lajmi.net/