Hoti: Të gatshëm për konsensus për dialogun, nëse votohet rezoluta

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se partia e tij është e gatshme që të arrijë konsensusin për dialog, por ai kërkon që paraprakisht Kuvendi ta miratojë një rezolutë në të cilën thuhet se territori i Kosovës është i pandashëm.

Lajme

26/09/2018 16:14

Hoti përmes një postimi në Facebook ka thënë se thirrjet për unitet përballë Serbisë dhe akuzat se opozita po e pengon këtë unitet janë të pa sinqerta

“Ftesat në stilin “të ulemi bashkë dhe të krijojmë një konsensus që të përballemi me Serbinë” janë vetëm përpjekje për ta mbrojtur ‘status quon’ ku pakica jo legjitime është në pushtet dhe institucionet janë jo funksionale”, ka shkruar Hoti.

Ai tutje ka ripërsëritur qëndrimin e LDK-së që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“Legjitimiteti nuk mund të burojë nga thirrje të tilla jo serioze, por nga vullneti i qytetarëve përmes zgjedhjeve të lira. Vetëm zgjedhjet e lira prodhojnë qeverisjen legjitime dhe institucione funksionale”, ka shkruar ai.

“LDK-ja është e gatshme t’i prijë arritjes së konsensusit për dialogun. Le ta nisim këtë konsensus me miratimin e rezolutës në Kuvendin e Kosovës të kërkuar nga opozita, ku thuhet qartë e thjeshtë se “Territori i Republikës së Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se as Presidenti, e askush tjetër, nuk ka mandat të negociojë për territorin e Republikës së Kosovës.” Le ta vazhdojmë pastaj këtë përpjekje për konsensus me organizimin e zgjedhjeve të lira për të nxjerrë institucione legjitime”, ka shkruar mes tjerash Hoti.