Hoti: S’preken pagat as vendet e punës në sektorin publik

Sipas ministrit të Financave, në disa pjesë të sektorit publik ka ende vend për punësim dhe jo për largim.

Lajme

30/03/2015 20:00

Ministria e Financave ka hequr dorë nga katalogu i vendeve të punës, i përgatitur nga Ministria e Administratës Publike.

Drejtues të kësaj ministrie kanë thënë se ky dokument është stopuar deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat dhe Benificionet, për të cilin shpresojnë ta kenë të gatshëm brenda tre muajve, raporton KTV.

Ministri i Financace, Avdullah Hoti ka garantuar se pagat nuk do të ulen dhe nuk do të ketë largime të punëtorëve në sektorin publik.

“Prej 560 milionë eurove, sa është kostoja e përgjithshme e pagave dhe e përfitimeve e shtesave gjatë një viti, janë rreth 50 milionë prej këtyre që janë shtesa të ndryshme dhe përfitime të ndryshme. Por, paga nuk do t’i preket askujt. Ne do ta rregullojmë shpërndarjen e përfitimeve dhe shtesave për sektorë, në mënyrë që njerëzit të paguhen njësoj për punë të njëjtë që bëjnë, sepse ka laramani nëpër institucione të ndryshme”, ka thënë ai.

Hoti ka thënë se në disa pjesë të sektorit publik ka ende vend për punësim dhe jo për largim.

Mirëpo, deklaratave të zyrtarëve qeveritarë nuk po u besojnë drejtues të Federatës sindikale të sektorit publik.

Sipas tyre, Qeveria ka kohë që vetëm po jep deklarime dhe asnjë prej tyre nuk po i realizon. Kreu i kësaj sindikate ka paralajmëruar se për shkak të këtyre veprimeve brenda pak kohësh i gjithë sektori publik mund të hyjë në grevë.

Paga minimale në sektorin publik është 220 euro, ndërsa një zyrtar me gradën 9 paguhet 411 euro.