Hoti: Seanca e thirrur nga Qeveria dorëzim i AAK-së e Nismës përballë Thaçit

Shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë sot se seanca e thirrur nga Qeveria është dorëzim i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës përball presionit të PDK-së dhe Thaçit për prishje të koalicionit dhe shantazheve të ditëve të fundit.

Lajme

04/09/2018 13:20

Hoti në një deklaratë për media të publikuar në ‘’Facebook’’, shkruan se këto dy parti tash do të luajnë lojën e Thaçit.

Në këtë deklaratë Hoti nuk e ka përmendur fare pjesëmarrjen e deputetes Teuta Rugova në seancë.

Ja postimi i plotë i tij:

Deklaratë për medie

Seanca e thirrur nga Qeveria është dorëzim i AAK-së dhe Nismës përballë presionit të PDK-së dhe Thaçit për prishje të koalicionit dhe shantazheve të ditëve të fundit.

Këto dy parti tash do të luajnë lojën e z.Thaçi duke nëpërkëmbur shtetin e Kosovës. Ekipi negociator, që nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve shumicë të Kosovës, do të përligj në emër të Qeverisë marrëveshjet e fshehta të z.Thaçi me Serbinë.

Shteti i Kosovës po hynë në një fazë kritike të ekzistencës së vet për shkak të veprimeve të kastës udhëheqëse, vrastare për perspektivën e shtetit të Kosovës.

Për LDK-në, sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është pa negociueshëm. LDK-ja nuk do të lejojë përdhosje të shtetit të Kosovës. LDK-ja do t’ju prij ndryshimeve që duhet të ndodhin së shpejti në Kosovë. LDK-ja nuk do të dorëzohet ndaj dhunës që po i bëhet shtetësisë së Kosovës.