Hoti reagon pas paralajmërimit të ikjes së dy investitorëve nga Kosova

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje kompanive të mos largohen nga Kosova duke bërë thirrje që për çdo parregullsi të lajmërojnë institucionet shtetërore.

Lajme

01/02/2015 14:11

Ai ka thënë se nuk do të lejojnë që asnjë zyrtar apo institucion publik të prish imazhin e Kosovë para investitorëve.

“Investitorët do të mbrohen nga Qeveria e Kosovës. Qeveria do të mbështesë investitorët dhe do të parandalojë ikjen e tyre nga Kosova. Rasti i kompanive ‘3CIS’ dhe ‘BELI-EURO FOL’ do të analizohet në javën që vjen nga një komision i zyrtarëve ligjorë ndër-ministror.

Do të ofrohen të gjitha kushtet e nevojshme që këto dy kompani dhe të tjera si këto, të qëndrojnë në Kosovë. Kemi nevojë shumë për investimet e tyre dhe rritjen e punësimit për të parandaluar ikjen e të rinjve jashtë vendit.

Unë ftoj të gjitha kompanitë që të raportojnë çfarëdo rasti të paqartësive që kanë me Administratën Tatimore ose me Doganat e Kosovës. Nuk do të lejojmë asnjë zyrtar, në cilindo institucion publik, të prishë imazhin e Kosovës para investitorëve dhe t’i bëjë ata të ikin nga Kosova”, citon gazeta Express ministrin e Financave, Avdullah Hoti.