Hoti: PDK është “emër i harruar” do të diskutojmë me AAK, NISMA-n dhe VV-në për bashkëqeverisje

Ministri i Financave në detyrë, Avdullah Hoti, që ishte edhe kandidati për kryeministër i koalicionit LAA ka treguar se me kë kanë përafrime për bashkëqeverisje, duke përjashtuar mundësin e shkuarjes me PDK-në. Ai e ka lënë hapur mundësin e bashkëqeverisjes me AAK, NISMA-n dhe VV-në.

Lajme

10/07/2017 11:11

LDK nuk ka dalë fituese, por pa LDK-në apo koalicionin LAA nuk mund të krijohet Qeveria. Sipas rezultatit aktual, kah po anon më shumë LDK-ja, kah PAN apo VV-ja?

 Avdullah Hoti:  LDK-ja nuk është duke anuar në asnjërën anë. Jemi duke e analizuar rezultatin zgjedhor. Po komunikojmë brenda partisë. Po diskutojmë me grupin tonë parlamentar dhe me partnerët e koalicionit tonë.

Kemi vendosur kornizën tonë programore që na mundëson të shqyrtojmë koalicionet që mund të arrihen. Jemi të vendosur si LDK dhe si koalicion që të mos hyjmë në asnjë bashkëpunim me PDK-në. Jemi të hapur të shqyrtojmë partneritetet e tjera sapo të dështojë koalicioni PAN. Do të diskutojmë me AAK, Nismën dhe Vetëvendosjen mbi baza të programit që kemi si parti e qendrës së djathtë. Do të bëjmë përpjekje maksimale që të arrijmë bashkëpunim me këto parti, në mënyrë që vendit t’i japim një Qeveri stabile, me program të qartë, me qasje pro-evropiane dhe të sigurojmë perspektivën euro-atlantike të Kosovës. Asnjë parti tjetër nuk mund ta bëjë këtë përveç LDK-së.

Në një situatë hipotetike kur të dyja grupacionet politike PAN dhe VV do të pranonin që LDK të udhëheq qeverinë, cila do të ishte preference më e mirë për LDK-në, me PAN apo me VV?

Avdullah Hoti: Më lejoni të qartësoj edhe një herë. Me PAN nuk hyjmë në asnjë koalicion, cilido qoftë pozicioni i LDK-së në atë Qeveri. Me partitë e tjera jemi të hapur. Por, para se të bisedojmë për pozitat në Qeveri duhet të dakordohemi për programin qeverisës. Ne jemi parti e qendrës së djathtë dhe do të sigurohemi se programi qeverisës ruan këtë qasje. Ne jemi anëtar i Partive Popullore Evropian, që është grupimi më i madh politik në BE i partive të qendrës së djathë, dhe duhet të sigurohemi se programi qeverisës është në përputhje me parimet programe të PPE-së. 

Janë përmendur koalicione PAN plus ndonjë deputet “I kontrabanduar”, VV + LDK. Por, a ka edhe ndonjë “matematikë” tjetër të krijimit të Qeverisë së Kosovës.

Avdullah Hoti: Deklarimet e zyrtarëve të koalicionit PAN se i kanë votat për formimin e qeverisë duke kontrabanduar dy-tre deputetë nga partitë e tjera përbëjnë fyerje për qytetarët e Kosovës.  Kjo më së mirë tregon modelin e qeverisjes që mund të ofrojë ky koalicion, pra model i qeverisjes së kontrabanduar. Atë që duhet të bëjë ky koalicion është të analizojë se çfarë po ndodh që askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me ta. AAK dhe Nisma duhet të reflektojnë për këtë në veçanti dhe të tërhiqen nga ai koalicion sa më parë, sepse fat i tillë në të ardhmen mund t’i gjejë edhe këto parti sikurse PDK-në.

Disa nga deputetët tanë po fyhen duke ju përmendur emrat në media se do ta mbështesin koalicionin PAN, pra se janë kontrabanduar. Sigurisht se koalicioni PAN ka mjaft fuqi financiare për të kontrabanduar deputetë, por nuk ka të tillë në mesin e LDK-së dhe të koalicionit tonë.

Qeveria e ardhshme mund të formohet me disa koalicione të mundshme që e lënë jashtë PDK-në. Ne do të angazhohemi që sapo të dështojë koalicioni PAN të ndërtojmë këto koalicione mbi bazën e platformës politike të LDK-së, si parti e qendrës së djathtë.