Hoti: Pakoja fiskale II, mbështetje për bizneset kosovare

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka mbledhur në një takim përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, me të cilët ka diskutuar për Pakon e dytë fiskale.

Lajme

13/01/2017 14:39

Gjatë takimit u theksua rëndësia që ka implementimi i masave për përmirësimin e kushteve të të bërit biznes, rritjen e punësimit si dhe për rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike të vendit dhe përmirësimin e mirëqenies sociale për qytetarët e Kosovës.

Ministri Hoti tha se ka marrë propozimet nga bizneset dhe u zotua se do të punojnë që të ofrojnë kushte të favorshme për ambient të të bërit biznes.

“Ju kemi ftuar që të diskutojmë për Pakon e re fiskale, e cila është në parim në qeveri në dhjetor të vitit që lamë pas. Pjesën e parë të Pakos fiskale e kemi bërë bashkë atë që ka filluar në shtatorë të vitit 2015 dhe me tri ligjet bazike na mundëson neve që të hyjmë në procesin e një pakoje të re fiskale. Së bashku me Ministrinë e Tregtisë dhe drejtorin e ATK-së kemi vendosur që t’iu thërrasim në diskutim që në fund të janarit të kthehemi në qeveri dhe të tregojmë se cilat masa duhet të shtymë afatin kohorë”, ka thënë Hoti.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tregoi se shumë biznese kanë sjellë kërkesa edhe në MTI. “Jemi munduar që ta luajmë rolin e avokuesit rreth sektorit privat. Kam deleguar dhe kam dërguar të gjitha kërkesat e asociacioneve të bizneseve te Ministria e Financave, të cilat janë marrë shumë seriozisht. Ka edhe disa punë dhe obligime edhe për Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë për Pakon e dytë fiskale siç është për shembull udhëzimi administrativ për humbjen e produkteve, karburanti por edhe produkteve të tjera”, ka theksuar ajo.

Astrit Shabani, kryetar i Klubit të Prodhuesve, tha se ka vend dhe mundësi që të bëhet më shumë rreth pakos fiskale.

“Kemi dëshirë që jo vetëm Klubit, por të gjithë atyre që merren më prodhim, të na jepet mundësia që të shprehem dhe t’i japim propozimet tona”, ka thënë ai

Kurse përfaqësuesi tjetër i këtij klubi, Astrit Panxha, ka dorëzuar listën prej 10 pikave që prekin sektorë të veçantë të prodhimit në Kosovë.

“Ne e kemi bërë një listë prej 10 pikash të cilat i prekin sektorë të veçantë të prodhimit në Kosovë. Një prej tyre, që po shpresojmë që do të ndryshojë, është udhëzimi administrativ për shfrytëzimin e ujërave që po kërkohet nga prodhuesit të paguajnë në formë retroaktive për një periudhë të gjatë kohore”, ka thënë Panxha.

Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, i cili mori po ashtu pjesë në këtë takim, tha se Qeveria e Kosovës është duke mbështetur ekonominë prodhuese të vendit.

“Qeveria e Kosovës është duke punuar maksimalisht në ekonominë prodhuese dhe është duke trajtuar që kjo veprimtari ekonomike të zërë vendin e vet dhe të mbështes dhe t’i eliminojmë të gjitha barrierat që e pengojnë procesin e zhvillimit të kësaj veprimtarie”, tha ai.

Në takim është debatuar edhe për barrierat dhe çështje të tjera me të të cilat përballen prodhuesit vendës./Ekonomiaonline.com