Hoti: Kosovës i duhet uniteti politik në bisedimet me Serbinë

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, tha se platforma e Qeverisë së Kosovës për bisedimet me Serbinë e sjellë në Kuvend, është krejt tjetër në krahasim me atë që ishte vite më parë.

Lajme

05/06/2018 23:58

“Drafti që na ka ardhur në Kuvend është dokument shumë i dobët. Nuk ka parime. Qëndrimi ynë është kundër, si LDK jemi kundër platformës”, tha Hoti sonte në “Intervista me Blerimin”, në televizionin publik të Kosovës.

Sipas tij nëse është qëllimi për të arritur një marrëveshje finale me Serbinë duhet të kemi parime.

“Nëse platformës i duhen 61 vota, nuk ka nevojë për LDK’në. Problemi është edhe uniteti brenda koalicionit qeverisës. Në proceset e mëdha duhet të kemi unitet”, tha ai.

Hoti vlerësoi se Kosova është me fat që ka partner ShBA’në dhe vendet e tjera.

“Jemi me fat që edhe procesi i Serbisë është kushtëzuar për integrime evropiane”, tha ai.

Sipas tij Kosova ka bërë shumë kompromise.

“Kompromisi është kushtetuta e Kosovës. Tani t’u kërkohet qytetarëve se duhet të kemi kompromis, kush e merr atë përgjegjësi”, tha Hoti.