Hoti: Korrigjimi i kufirit s’mund të bëhet pa mbështetjen e fuqive të mëdha

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë se në rrethanat aktuale është paradoksale tëflitet për korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lajme

17/08/2018 08:15

Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se ideja për korrigjimin e kufirit me Serbinë është e pazbatueshme meqë nuk përkrahet nga vendet e fuqishme.

 “Në kuptimin praktik, nëse shtetet nuk njohin njëri-tjetrin dhe nëse njëri e mohon ekzistencën e tjetrit,është paradoksale të flitet për kufijtë ndërkombëtarë, madje mos të flasim për korrigjimin e tyre. Korrigjimi i kufirit nuk mund të bëhet pa mbështetjen e fuqive të mëdha. Nëse ShBA-ja, Gjermania dhe vendet e tjera të fuqishme e kundërshtojnë këtë atëherë e tëra që ngelet në këtë drejtim janë vetëm deklaratat dhe konsumi medial i këtyre ditëve. Kur kësaj i shtohet fakti se të dyja shtetet nuk komunikojnë normalisht me njëri-tjetrin, atëherë kjo bëhet absolutisht e pazbatueshme”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka thënë se Kosova duhet të jetë pjesë e dialogut, por në asnjë mënyrë të bëjë koncesione të cilat do të bartnin rrezikshmëri për funksionalitetin e shtetit.

Në këtë kontekst, sipas Hotit, më e rëndësishme është se çfarë flitet dhe çfarë vendimesh merren në kuadër të dialogut se sa kush e udhëheq këtë proces.

Ai ka theksuar se Kosova e ka obligim ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe sikur që ka obligim t’i zbatojë në përpikëri rekomandimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese dhe, sipas Hotit, ky Asociacion nuk guxon të bje në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk mund të ketë as një lloj kompetence ekzekutive.

Kjo kompetencë do t’imbante përfundimisht serbët e Kosovës të izoluar dhe shtetin e Kosovës në masë të madhe do ta bënte jofunksional”, është shprehur Hoti.