Hoti: Koalicioni PAN po e pamundëson seancën e jashtëzakonshme të opozitës

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se koalicioni qeverisës është duke e pamundësuar seancën e jashtëzakonshme të opozitës.

Lajme

25/10/2018 16:55

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se duke e parë që koalicioni qeverisës që nga 4 shtatori është duke e bllokuar seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, atëherë sot opozita ka bërë përsëri kërkesë për një seancë të re të jashtëzakonshme, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se, kjo kërkesë e re për seancë të jashtëzakonshme është dorëzuar për të vendosur vijën e kuqe në dialog, se territori i Kosovës është një dhe i pandashëm, dhe se askush nuk mund të negociojë për territorin e Kosovës.

Postimi i plotë Hotit pa ndërhyrje:

Seancë e re e jashtëzakonshme

Edhe pas kundërshtimit të gjerë kundër shkëmbimit të territoreve apo korrigjimit të kufijve, Presidenti vazhdon angazhimin e tij antikushtetues për ta bërë këtë temë pjesë të dialogut me Serbinë. Gjendja është kritike pas paralajmërimit për diskutimin e kësaj teme në konferencën në Paris më 11 nëntorit 2018.

Seanca e jashtëzakonshme e opozitës, e kërkuar më 4 shtator 2018 për të aprovuar një rezolutë kundër përfshirjes së kësaj teme në dialog, u pamundësua nga koalicioni PAN. Që nga atëherë, Kryetari i Kuvendit ka bllokuar thirrjen e kësaj seance me arsyetimin absurd se opozita duhet të sigurojë 61 deputetë në sallë.

Ne sot kemi dorëzuar kërkesë të re për seancë të jashtëzakonshme për të vendosur vijën e kuqe në dialog, se territori i Kosovës është një dhe i pandashëm, dhe se askush nuk mund të negociojë për territorin e Kosovës. /Lajmi.net/