Hoti kërkon mbështetjen për vizat nga kryetari e EPP-së

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka takuar sot në Bruksel Presidentin e Partive Popullore Evropiane  Joseph Daul, i shoqëruar nga Deputetët Driton Selmanaj dhe Lumir Abdixhiku.

Lajme

11/07/2018 16:16

Gjatë këtij takimi, Hoti i përcjelli Presidentit Daul falënderimet e Kryetarit Mustafa për mbështetjen që EPP, si forca kryesore politike në kuadër të BE-së, ka dhënë për Kosovën.

Sipas komunikatës së LDK-së, Hoti e njoftoj Presidentin Daul lidhur me qëndrimin e LDK-së për dialogun me Serbinë, se LDK e mbështetë dialogun si e vetmja mundësi për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior.

Hoti e njoftoi gjithashtu Presidentin Daul për zhvillimet politike në Kosovës, duke shprehur gatishmërinë që LDK-ja të udhëheqë dhe të krijojë koncenzusin e nevojshëm politik për dialogun pas legjitimimit në zgjedhje të lira.

“Hoti i kërkoi Presidentit Daul mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës përmes mbështetjes nga ana e deputetëve të EPP-së në Parlamentit Evropian pasi që Komisioni Evropian të dorëzojë raportin në Parlamentin Evropian”, thuhet në komunikatë.

Presidenti Daul u shpreh se do t’i qëndrojë në krah Kosovës dhe LDK-së, si parti anëtare e EPP-së, në rrugën e integrimit evropian./Lajmi.net/