Hoti: Kam marrë përkrahjen e themeluesve të LDK-së për koalicionin e fitores

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të dielën në Has, se ditëve të fundit ka takuar shumë prej themeluesve të LDK-së, për t'i prirë koalicionit të fitore në zgjedhjet e 11 qershorit.

Lajme

28/05/2017 20:57

“Ka qenë nder për mua që kam marrë besimin e strukturave dhe themeluesve të LDK-së, për të qenë në krye të një koalicioni i cili do ta zhvillojë Kosovën në aspektin e brendshëm dhe do ta fuqizojë imazhin e saj në arenën ndërkombëtare. Jam takuar privatisht me shumë prej themeluesve të LDK-së, nga të cilët kam marrë bekimin për ta udhëhequr koalicionin e fitores”, ka thënë Hoti.

Ai ju ka kërkuar hasjanëve që ta përkrahin projektin e tij për Kosovën e zhvilluar pa krim dhe korrupsion, ashtu siç hasjanët e kanë përkrahur gjithmonë presidentin Rugova.

“Programi i Koalicionit Qeverisës mbështetet mbi parimet dhe vlerat demokratike dhe merr parasysh nevojat dhe prioritetet nacionale të Kosovës, me fokus në forcimin e sundimit të ligjit dhe të zhvillimit ekonomik”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se Koalicioni Qeverisës në programin e vet ofron mundësi për realizimin e vizionit për Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik, shtet të zhvilluar dhe të integruar në strukturat evroatlantike.
“LDK-ja dhe aleatët e saj angazhohen për funksionim të pavarur të legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, duke krijuar kushte për ngritje të efikasitetit të tyre”, ka thënë Hoti.

Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli ka thënë se reformat ekonomike dhe fiskale të cilat i ka bërë Hoti kanë krijuar bazën e zhvillimit të Kosovës. Ai ka thënë se qytetarët e Hasit, Prizrenit dhe gjithë Kosovës janë bashkuar rreth projektit të LDK-së për të fituar në zgjedhjet e 11 qershorit. /Lajmi.net/