Hoti i reagon kryeministrit: Ne jemi gardianë të shtetit, por jo me gaz e dhunë siç bënit ju

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdulla Hoti, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili dje ka thënë se partia e Isa Mustafës është konfuze dhe po i ngatërron temat nacionale me garën e brendshme për kryetar të LDK-së.

Lajme

02/08/2018 14:01

Hoti ka thënë se LDK e mbështetur edhe nga paritë tjera opozitare, ka siguruar funksionalitetin në Kuvend.

Ai duke kujtuar nisëm për shfuqizimin e Gjykatës Speciale më 22 dhjetor të viti 2017, ka thënë për lajmi.net se kanë qenë ata që kanë shpëtuar Kosovën nga izolimi ndërkombëtarë.

“Ne kemi parandaluar degradimin institucional dhe izolimin ndërkombëtar te shtetit te Kosovës nga koalicioni PAN me 22 dhjetor 2017 dhe plot raste me vone. Ne jemi gardiane te shtetit te Kosovës dhe demokracisë te re ne Kosove. Dhe nuk do te ndalemi ne këtë mision. Por jo me gaz e me dhune, siç bënte z.Haradinaj sa ishte ne opozite, por me fuqinë e votës dhe me mbështetjen e qytetareve te Kosovës”, ka thënë Hoti për lajmi.net.

Kryeministri Hardinaj duke komentuar veprimin e LDK-së për të mos votuar marrëveshjen IPA 2017 dhe dy marrëveshje tjera ndërkombëtare ka thënë se partia më e madhe opozitare po refuzon fondet e BE-së.

Sipas Haradinajt, LDK po ngatërron temat nacionale me garën për kryetarë të partisë.

“Konfuzioni i LDK-së shkoi deri në atë situatë që nuk votojë për fondet e IPA-s. Paret që BE-së i jep falë për vendet që aspirojnë e BE-në. LDK votoi kundër pareve që i jepen falë Kosovës”, ka thënë Haradinaj për Telegrafin.

Ndërsa, Hoti ka thënë se ata kanë mbështetur dhe do të mbështesinë gjithmonë marrëveshjet ndërkombëtare, por sipas tij, janë sjelljet jo parlamentare dhe gjuha fyese nga pozita që po pengojnë funksionimin normal të Kuvendit.

“Marrëveshjet ndërkombëtare gjithmonë janë mbështetur nga LDK-ja dhe do te mbështeten edhe në të ardhmen. Sjelljet jo parlamentare dhe gjuha fyese ndaj opozitës janë bërë normë e sjelljes në Kuvend të disa individëve dhe grupeve parlamentare. Kjo është duke e penguar funksionimin normal te Kuvendit”, është shprehur Hoti për lajmi.net.

LDK që nga fillimi i këtij mandati të Qeverisë Haradinaj ka kërkuar që vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Madje kjo parti kishte paralajmëruar edhe hapa konkret për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj,duke paralajmëruar edhe mocion mosbesimi, por që një iniciativë të tillë ende nuk e ka marrë. P.B. /Lajmi.net/