Hoti i kundërpërgjigjet Vuçiqit për Ushtrinë e Kosovës

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar lidhur me deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Lajme

16/10/2018 13:50

Hoti ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se kualifikimi i Vuçiqit për ushtrinë si diçka që do të shkaktojë shok dhe ankth mund të jetë i vërtetë, por sipas tij “vetëm për ata që thirrjet për paqe dhe stabilitet në rajon i kanë kamuflime për të realizuar ambicie të vjetra, ndryshime kufinjësh në Ballkan dhe gllabrim tokash”.

“Kjo gjithashtu mund të jetë e vërtetë edhe për ata që punojnë kundër interesave euro-atlantike në rajonin tonë. Përndryshe formimi i Ushtrisë së Kosovës, do të determinoj paqe dhe siguri në rajon si dhe shtrirje dhe forcim të gjeopolitikës euro-atlantike. Prandaj krijimi i saj është proces që nuk mund ta ndal askush dhe atë do ta bëjmë në bashkëpunim me aleatët tanë”, ka shkruar ai.