Hoti: Gjenerata e Rugovës u bë bashkë me gjeneratën e re për fitoren e madhe

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të hënën gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e Prishtinës, se gjenerata e Presidentit Historik Ibrahim Rugova, janë bashkuar me rininë kosovare, të cilët Rugova i quante Brezi i Republikës, për të arritur më 11 qershor fitoren e madhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Lajme

29/05/2017 19:47

“Jam i nderuar në këtë mes të jashtëzakonshëm. I nderuar që i prij listës së partisë më të vjetër në Kosovë, partisë së Presidentit Rugova. Jam i nderuar që po na bashkohen shumë të rinj e të reja gjithandej Kosovës. Po mbushem me entuziazëm që gjeneratat e reja dhe të vjetra të LDK-së janë bashkë për ndryshimin e madh”.

Ai ka thënë se janë bërë bashkë dy breza, por me një filozofi, atë Rugoviane, për të arritur fitoren e madhe më 11 qershor, për ta luftuar krimin e korrupsionin dhe për ta çuar Kosovën atje ku e ka projektuar Rugova në familjen Euroatlantike.

“Programi ynë bazohet në tri shtylla kryesore: zhvillim ekonomik, punësim, të ardhura dinjitoze; rend dhe ligj, luftë e pakompromis kundër korrupcionit dhe integrime evropiane”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se beson në përkrahjen e të gjithëve, sepse ky është koalicion i shpresës, nuk është koalicion as i territ, as i muskujve, por i mendjeve më të mira, i duarve më të pastra.

“Programi ynë ka dy çështje kryesore te politikat rinore. E para, puna me pagesë për një vit pas kryerjes së studimeve dhe, e dyta, mbështetja e secilës ide që mund ta keni për biznes të ri. Fundamentale është të punojmë për arsim cilësor dhe ne do të punojmë për depolitizimin e këtij sektori kaq të rëndësishëm”, ka thënë Hoti.