Hoti: Do t’i përdorim të gjitha veprimet demokratike për ta rrëzuar qeverinë

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se do t’i përdorin të gjitha mjete demokratike për të mos lejuar që vendi të qeveriset nga koalicioni aktual.

Lajme

18/09/2017 15:20

I pyetur se a do të përdorin votën e deputetit Zafir Berisha, për të rrëzuar qeverinë e udhëhequr nga Ramush Hardinaj, ai ka thënë se koalicioni duhet të tërhiqet vet, raporton Ekonomia Online.

“Është në interes të vendit që sa më parë vet publikisht koalicioni dhe vet kryeministri të japin dorëheqje, mos të presin rrëzimin e Qeverisë, sepse sot nuk i kanë 61 vota në Kuvend të Kosovës, kështu nuk funksionon Kuvendi. Do t’i përdorim të gjitha veprimet demokratike për të mos lejuar që të qeveriset vendi kështu si ka filluar duke u shkelur rregullorja, duke u shkelur Kushtetuta pa asnjë program të qartë. Kemi me siguruar rrugën pro evropiane që ne e kemi nisur me Qeverinë e kaluar bashkë me partnerët tanë”, theksoi Hoti.

Idenë e presidentit Hashim Thaçi për krijimin e Ekipit të Unitetit për dialogun Kosovë-Serbi ai e ka quajtur të pakuptimtë.

“Kosova ka institucionet, tani është viti 2017 dhe është e pakuptimtë të kërkohet Ekipi i Unitetit, prandaj mbahen zgjedhjet, zgjidhet Parlamenti, zgjidhet Qeveria dhe krijohen institucionet e vendit, të cilat duhet të marrin përgjegjësinë për të gjitha çështjet shtetërore të Kosovës”, tha ai

Sa i përket miratimit të buxhetit Hoti tha se do të shikojnë me kujdes se çfarë do të sjellin partitë në pushtet në Kuvendin e Kosovës me anë të këtij ligji.