Horror në Nigeri: Shpërthime në xhami, 120 të vdekur

Tri shpërthime të njëpasnjëshme kanë vrarë 120 njerëz dhe 260 të tjerë kanë plagosur në një xhami në Nigeri. 

Bota

28/11/2014 23:36

Tri bombat që shpërthyen jashtë objektit në xhaminë qendrore në Kano, dyshohet të jenë vepër e Boko Haram, një grup terrorist islamik.

Sulmi ndodhi në kohën e lutjeve të premten, ku pos 120 të vdekurve, të plagosur mbetën edhe 260 besimtarë.

Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë, por shpërthimi dyshohet të jetë kryer nga Boko Haram, një lëvizje radikale islamike e lidhur me al-Kaedën që ka vrarë mijëra njerëz në Nigerinë veriore dhe detyruar mbi një milion që të lënë shtëpitë e tyre.

Emiri i Kano-s, Mohammad Sanusi II, shpesh merr pjesë në namazin e Xhamisë Qendrore ku sot u krye sulmi. Ai është një kundërshtar i hapur i Boko Haram, dhe dyshohet se pikërisht ai ka qenë një objektiv i synuar i sulmit.

Megjithatë, Emiri besohet që këtë të premte ndodhej në Arabinë Saudite.

Dëshmitarët okularë thanë se shpërthimet ndodhën në oborrin e xhamisë, ndërsa e treta disa metra më larg. (lajmi.net)