Hopfner, president i ri i Bayernit

Bayern Munichu e ka zgjedhur presidentin e ri. Bëhet fjalë për Karl Hopfner, i cili i ka marrë 99,6% të votave. 61 vjeçari do ta zëvendësojë Uli Hoenessin, që ka përfunduar në burg.

Sport

02/05/2014 22:15

Karl Hopfner është zgjedhur president i ri i Bayern Munichut, duke e zëvendësuar Uli Hoenessin.

Ish presidenti Hoeness përfundoi në burg, pasi u kishte ikur taksave të shtetit. Bayerni e thirri një mbledhje gjenerale të jashtëzakonshme të premten, për ta vendosur se kush do të ishte pasardhësi i 62 vjeçarit.

Ndërkaq, Hopfner e mori pjesën dërrmuese të votave, 99.6 për qind, ndërsa Rudolf Schels u bë zëvendës president.

“Faleminderit për besimin e dhënë. Do ta mbaj pozitën me zemër, pasion dhe shpirt, ashtu siç kam bërë për tri vjet në pozita të ndryshme”, ka thënë Hopfner pasi e mori rolin e ri.

“Jam krenar të jem pjesë e familjes së Bayernit dhe gjithmonë do të mundohem të punoj për të mirën e FC Bayern Munich”, përfundoi ai.